Në Kosovë ka shparg (asparag) shumë të mirë vendor dhe gjatë sezonës janë fantastik (fundi i majit dhe fillimi i qershorit). Në të njejtën kohë ka edhe luleradhiqe në oborr dhe poashtu edhe qepujka (chives) që shumë lehtë mbillen dhe janë shumëvjeçare. Gjethe të kelit mund të gjeni në disa sezona. Nëse nuk mund të gjeni kel dhe shparg mund ta zëvendësoni me brokoli që kur është nga Shqipëria është fantastik. Këpurdha në Kosovë ka mbiprodhim prandaj edhe mund ti gjeni në çdo kohë. Luleradhiqet i keni vetëm në sezon prandaj nuk di se si ti zëvendësoni, mund të bëni edhe pa to. Kjo recetë është shumë e përshtatshme pasi që pregatitet shpejtë dhe mund të servohet në drekë apo për ndonjë darkë. Është e lehtë dhe e përshtatshme për vegjetarianë.

Këtë recetë mund ta bëni edhe vetëm me patate pa perime tjera.

Përbërësit

  • Një paketim këpurdha të bardha apo të kafta (shampinjon)
  • Një grumbull shparg (asparag)
  • 1 qepë mesatare
  • 2-3 thelpinj hudër e grimcuar imët
  • afro 20 luleradhiqe
  • një tubë qepujka (chives) apo bishta të qepës
  • rreth 20 gjethe të kelit (ose ceklla/pazia)
  • 3 lugë vaj ulliri për përzhitje
  • kripë dhe piper sipas dëshirës
  • 6 ve të mëdha
  • 250 ml kos

Përgaditja

  1. Së pari i grimconi të gjithë përbërësit. Në një enë i qitni së bashku luleradhiqet, hudrën, qepujkat kripën dhe piperin.
  2. Në një fërtere (që pastaj mund të hyn në furrë) e qitni vajin dhe e ngrohni pak (mos e tejngrohni kurrë vajin), dhe e hudhni qepën. E përzhitni pak dhe pastaj i shtoni këpurdhat deri sa të përzhiten pak, në temperaturë të lartë që të shteret lëngu pasi këpurdhat e kanë zakon të lëshojnë lëng
  3. Shtoni shpargun dhe kelin (apo paziat) dhe i përzhitni pak deri sa të zbuten
  4. Lëshoni furrën në 200°C dhe në enën ku keni luleradhiqet me qepujkat i qitni vezët. I tundni mirë dhe i shtoni kosin. I përzieni mirë që të jetë përzierje e njëtrajtshme dhe ia hudhni perimeve që të mbulohen mirë me masën e vezëve me kos
  5. E pjekni 20 – 30 minuta apo deri sa të trashen vezët me kos dhe vërehet një kore e lehtë si në foto

Servimi

E servoni menjëherë pa bukë dhe me një sallatë apo turshi nëse keni. Kjo bëhet edhe vetëm me patate dhe mund të përdorni barishte sipas dëshirës. Në këtë rast patatet mund ti pjekni në furrë dhe në fund i shtohen vezët me kos.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment