Cobbler (kalldrëm) është ëmbëlsirë angleze me shumë fruta dhe ka pamjen e kalldrëmit prandaj edhe e ka marrë emrin e tillë. Sidomos kur përdoren fruta mali vërehet forma si kalldrëm. Është ëmbëlsirë e lehtë të bëhet dhe mund të servohet e ngrohtë, për ata që ju pëlqen, me akullore të vaniles apo ndonjë lloj akulloreje tjetër që komplementohet mirë me frutat që përdoren. Kjo ëmbëlsirë mund të bëhet me shumë lloje të frutave të stinës si me vishnje, dredhza (luleshtrydhe), pjeshka e kajsi, molla dhe ftonj, fruta mali, etj. por mund të bëhet edhe me fruta të ngrira pa problem. Pra mund të bëni kombinime që ju pëlqejnë. Kur bëhet me dredhëza (luleshtrydhe) është mirë të shtohet ndonjë mollë apo dardhë për pektin poashtu edhe me frutat e malit. Nëse nuk keni mollë apo dardhë mund të shtoni pak miell pasi që, sidomos dredhzat (luleshtrydhet), lëshojnë shumë lëng.

Brumi për këtë ëmbëlsirë nuk është as i lëngshëm por as shumë i thatë dhe mund të ju duket i çuditshëm kur hudhet në frutat e nxehta me plot lëng, por kur piqet merr formë shumë të mirë dhe rustike. Mund të ju duket e çuditshme që ka vetëm një shtresë të brumit por është shumë e mirë dhe ka shije fantastike edhe pse prezantimi nuk mund të ju duket më i miri.

Përbërësit

  • Afro 900 gr fruta të malit të freskëta apo të ngrira
  • 1-2 molla ose pjeshka
  • 1-2 dardha
  • 5 lugë sheqer
  • 1-2 lugë uthull balsamik
  • 110 gr puter (gjalpë)
  • 220 gr miell
  • 1/2 qese pluhur për ëmbëlsira
  • 70 gr sheqer
  • pak kripë
  • 120 ml jogurt

Përgaditja

  1. Së pari i hidhni të gjitha frutat në tepsi ku do të bëni ëmbëlsirën dhe i qëroni mollat apo pjeshkat dhe dardhat dhe i coptoni në të njejtën enë. Ia hudhni sheqerin dhe uthullën balsamik dhe i zieni mbi pllakë për zierje ose në furrë në 200°C deri sa të fillojnë të zbuten dhe të fillojnë të lëshojnë lëngun, afro 40 minuta. Nëse janë frutat e ngrira duhet pak më shumë kohë. Herë pas here i përzieni që të jenë të njëtrajtshme në zierje
  2. Në momentin që ju duket se frutat janë gati, filloni të bëni brumin
  3. Sitni miellin me pluhurin për ëmbëlsira në një enë të thellë, i shtoni sheqerin dhe pak kripë. I përzieni mirë dhe ia qitni puterin e ftohtë të coptuar në katrorka të vogla. Me duar e shtypni puterin dhe e përzieni me miell deri sa të duket si miell misri, pra kur puteri/gjalpi bashkëdyzohet mirë në miell
  4. Tani merrni një pirun dhe duke përzier i shtoni jogurtin dhe e përzieni vetëm deri sa të fillon brumi të bashkohet. Mos e punoni shumë brumin që të mos aktivizohet gluteni, pasi që duhet që brumi të jetë shkriftë
  5. Tani e nxerrni tepsinë nga furra apo e hiqni nga pllaka e zierjes, dhe e caktoni temperaturën e furrës në 180°C
  6. Merrni brumin me duar dhe e hudhni copa copa drejt në fruta deri sa të shpërndahet brumi në tërë sipërfaqen e frutave, mos u frigoni nëse brumi është i ngjitshëm pasi që nuk është problem
  7. Pasi që ta harxhoni krejt brumin e ktheni tepsinë në furrë dhe e leni të piqet 30 minuta apo deri sa vërehet që brumi është skuqur në sipërfaqe

Servimi

Mund ta servoni menjëherë, të ngrohtë pasi që të pushon pak. Nëse frutat që i keni përdorë janë shumë të tharta mund ti shtoni pak sheqer pluhur apo mund ta servoni me akullore klasike të vaniles. Ëmbëlsira nuk është tipike dhe kur e servoni duhet ta merrni me një lugë të madhe duke u kujdesur që të merren edhe frutat me lëngun e tyre.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment