Kjo është supë me origjinë turke. Mund të gjeni edhe shumë receta tjera të supës me thjerrëza por për mua kjo është favoritja. Plus që është shumë e lehtë të pregaditet dhe ka vlera ushqyese shumë të mira. Thjerrëzat janë të pasura me proteina bimore, vitamina, minerale dhe kanë shumë fibra. Është e familjes së fasuleve por është shumë më e lehtë për tretje. Edhe thjerrëzat është mirë që të ulen në ujë njejtë si fasulja por për një kohë shumë më të shkurtër. Ulja në ujë ndihmon në heqjen e saponineve dhe acidit fitik që pengon absorbimin e proteinave bimore dhe kështu nuk na pengon gjatë tretjes.
Kjo supë është e shëndetshme për ata që dëshirojnë të ulin yndyrat e këqia në gjak, të mbrojnë zemrën dhe rregullojnë tretjen. Për këtë supë duhet të përdorni thjerrëza të qëruara që kanë ngjyrë të kuqrremtë.
Përbërësit
- 1 filxhan i madh (2.5 dcl) thjerrëza të kuqe, të shpërlara mirë dhe të ulura në ujë deri 30 minuta dhe të kulluara plotësisht
- 1 qepë mesatare e prerë
- 2-3 thelpinj hudër të grimcuar
- 1 karrotë e madhe e grimcuar
- 1 copë e rrënjës së selinosë (celler) ose 1 patate mesatare
- vaj ulliri për përzhitje (ose tjetër lloj yndyre që preferoni)
- pak piper i kuq
- këri pluhur (opcional)
- rigon i tharë apo të njomë sipas dëshirës
- gjethe dafine (opcionale)
- kripë sipas dëshirës
- pak pastë domateje ose lëng i trashë i domates
- 1 lugë gjelle koncentrat i supës së perimeve (nëse keni bio, përndryshe mundet edhe pa të)
Përgaditja
- Në një enë të thellë e hudhni vajin dhe në temperaturë mesatarisht të lartë i përzhitni qepët deri sa të zbuten pak, pastaj i shtoni hudrat dhe menjëherë i shtoni karrotat dhe selinon (ose pataten). I përzhitni mirë deri sa të fillojnë të lëshojnë aromën dhe para se ti hudhni ujin i shtoni të gjitha mëlmesat dhe në fund pastën apo lëngun e trashë të domates
- Pasi që të filloj ti vie era e këndshme, i hidhni ujin, afro 1 litër. Prisni të fillojë vlimin dhe i hudhni thjerrëzat
- Posa të marrë valë e ulni temperaturën në mesatare dhe e leni të zihet 15-20 minuta
- Mënyra më e lehtë që ta kuptoni se a është zier është kur vëreni që thjerrëzat kanë humbur formën e vet pra, kanë filluar të shpërbëhen
- Supa tani është gati por që ta bëni edhe më të shijshme e largoni nga zjarri dhe e bluani me mikser të dorës derisa të bëhet kremoze. Mos harroni që para bluarjes ta largoni gjethen e dafinës nëse e keni përdorë gjatë zierjes. Nëse supa është shumë e trashë mund ti shtoni pak ujë dhe ta ktheni edhe një herë deri sa të marrë valë
Servimi
Mund ta servoni menjëherë dhe për servim mund të përdorni copëza piperi të kuq, ose majdanoz , apo limon, pak piper të zi, ose pak vaj ulliri, sipas shijes suaj.



Ju bëftë mirë!