Fazani është gati si mish i egër, nëse është i fushës e jo i mbyllur, prandaj ka nevojë të marinohet së paku dy orë që të zhvillojë shije dhe të ndihmon zbutjen e mishit. Ne kemi blerë fazan në Bio Fermën afër Radavcit në Pejë. Nëse doni të gjeni shpendë ekzotik por edhe pula fshati, shota/rosa, gusa/pata lirisht i kontaktoni në numrin +38349811588 (viber) ose +38345635648.
Mishrat e egra zakonisht janë pa yndyrë dhe me muskuj të fortë pasi janë në lëvizje, prandaj duhet që të piqen në zjarr të ultë dhe të ngadaltë. Fazanin në fillim e fusim në furrë të nxehtë afro 210°C dhe pastaj e ulim në 180°C. Pasi që nuk janë shumë të mëdhej, nuk ju duhet më shumë se 90 minuta pjekje.
Fazani përshatet mirë me kokrra të gllisë (dëllinjave) si mëlmesë prandaj tentoni që ti keni. Mund të përdorni edhe kokrrat e kedrit nëse keni në oborr. Nëse nuk keni asnjërën atëherë mund të përdorni pak Gin, pasi Gin bëhet me gllia (dëllinja). Nëse nuk keni as Gin, atëherë mund të përdorni rozmarin apo ndonjë aromë tjetër që ju pëlqen juve e që i afrohet aromës së pishës.
Përbërësit
- 1 fazan i plotë apo i coptuar (afro 1.2 kg)
- 10 kokrra gllia (dëllinja) të shtypura që të lirojnë aromën
- 1 filxhan i vogël i kafes uthull balsamik ose ndonjë uthull tjetër e ngjajshme (e shegës apo orizit)
- 1 grusht trumzë (timian) e pastruar nga degët
- 1 lugë e vogël kripë
- Pak piper i zi i bluar i freskët
- 1 filxhan i vogël i kafes vaj ulliri (ose luledielli)
- Patate afro 14 copë mesatarisht të vogla apo 4 të mëdha të ndara në 4 pjesë (sipas dëshirës mund të përdorni perime tjera, psh karrota apo këpurdha, por jo perime që lëshojnë ujë)
- Pak vaj ulliri (apo luledielli) dhe pak kripë për patate
Përgaditja
- Në një enë të thellë e hudhni vajin, uthullën, kripën, piperin. Trumzën dhe glliat (dëllinjat) i shtypni pak që të lëshojnë vajrat aromatike dhe i hudhni në enë, përzieni mirë të gjitha
- Fazanin e prerë e të pastruar, së bashku me të brendshmet, i përzieni mirë në marinadë deri sa secila të jetë mirë e mbështjellur në lëngun e marinadës. E mbyllni me kapak apo folie plastike dhe e leni të qëndrojë afro dy orë në vend të freskët apo në frigorifer
- Në ndërkohë qëroni patatet, nëse i keni të njoma dhe bio, vetëm i lani mirë nuk keni nevojë ti qëroni, dhe i marinoni me pak kripë dhe me pak vaj në një enë të thellë
- Nëse e keni në frigorifer fazanin, e nxjerrni së paku 30 minuta më herët që të merr temperaturën e dhomës. I ndani mushkëritë dhe zemrën (mund ti përzhitni ndarazi). E nxeni furrën në 210°C. Vendoseni fazanin në një enë të dheut me kapak (apo ndonjë lloj tjetër që e preferoni por që ka kapak) së bashku me lëngun e marinadës (dëllinjat mund ti largoni nëse doni) dhe e leni në temperaturë të lartë afro 15-20 minuta deri sa të merr nxehtësinë
- Pas 15-20 minutash e ulni temperaturën në 170-180°C dhe i hudhni brenda edhe patatet
- E leni të piqet edhe 70 minuta në temperaturë të ultë dhe 15-20 minuta para përfundimit e hiqni kapakun që të skuqet pak sipërfaqja
- Pasi që të përfundon pjekja, e nxirni nga furra dhe e leni të pushojë afro 15-20 minuta para se ta servoni
Servimi
Mund ta servoni pasi që të pushon mishi. Nëse e pëlqeni verën, e kuqe e thatë si Cabernet Sauvignon apo Shesh i Zi, përshtatet mirë dhe natyrisht shërbeni edhe sallatë të lehtë të gjetheve, rukola apo ngjajshëm.



Ju bëftë mirë!