Kjo është ëmbëlsirë shumë e shpejtë dhe e lehtë përpos kohëzgjatjes së zierjes së portokalleve së pari. Është ëmbëlsirë me origjinë Sefardike (komuniteti Jahud në Spanjë). Mund të bëhet me portokalle, limona apo mandarina. Tentoni të përdorni frutat që janë pa pesticide dhe pa dyll mbrojtës. Nëse nuk e keni këtë mundësi atëherë i leni frutat në ujë me sodë bikarboni apo uthull, për një orë, dhe pastaj i shpërlani mirë dhe vetëm atëherë i zieni.

Kjo ëmbëlsirë është e përshtatshme për ata që i ikin glutenit. Nëse nuk keni miell të bajameve, mund ti bluani bajamet vet. Bën të përdoren bajame me lëvore por preferohen të qëruarat vetëm për aspekt estetik.

Përbërësit

  • 375 gr (përafërsisht) portokaj ose limona apo mandarina (zihen në ujë ngadalë për afro 1 – 2 orë, varësisht nga madhësia, deri sa të zbuten)
  • 6 ve të mëdha
  • 100 gr sheqer (sasia e sheqerit mund të shtohet sipas dëshirës por jo më shumë se 220 gr)
  • 250 gr bajame të bluara imët (nëse përdorni miell bajamesh të gatshëm, shiqoni nëse përmbanë sheqer dhe sa është përqindja e sheqerit ndaj bajameve që të keni saktë 250 gr bajame, gjithashtu mos përdorni sheqer)
  • 1 lugë e vogël sodë bikarboni (nuk është e domosdoshme)

Përgaditja

  1. Pasi që të keni zier frutat dhe derisa i keni lënë që të ftohen pak, pregatisni tepsinë me madhësi mesatare për ëmbëlsirë (forma mund të jetë çfarëdo që preferoni ju). Vendosni në fund letrën (apo nëse përdorni enën drejtkëndore e bëni si në foto më poshtë) dhe e lyeni me pak vaj, edhe anash. Lëshoni furrën në 170-180 gradë celsius për pjekje standarde dhe pozitën e grilës në mes
  2. Portokallet e ziera i shtrydhni mirë me dorë dhe largoni farat nëse janë shumë të forta. I hudhni në mikser me thikë për bluerje së bashku me sheqerin dhe i bluani mirë
  3. Shtoni vezët dhe i përzieni mirë deri sa të shkrihet sheqeri
  4. Shtoni bajamet e bluara së bashku me sodën e bikarbonit nëse e përdorni dhe i përzieni edhe pak deri sa të krijohet masë e njëtrajtshme
  5. E hudhni brumin në enën e përgatitur dhe e shtini në furrë të piqet
  6. Pjekeni në temperaturë prej 170-180 (varësisht prej furrës që keni) në pozitën e mesme deri në 1 orë
  7. Pasi që të piqet e leni që të ftohet dhe e nxerrni nga ena dhe e largoni letrën e pjekjes.
  8. *Nëse nuk keni mikser me thika, mund ti shtypni portokajt në një enë ndarazi, pastaj tundni vezët me sheqer me tel/mikser dore deri sa të bëhen shkumë e fortë, pastaj shtoni miellin e bajameve me sodë bikarboni dhe në fund shtoni portokallet e bluara deri sa të bëhet masë e njëtrajtshme.
  9. * Nëse doni të përshpejtoni procesin e zierjes së portokalleve mund ta bëni në mikrovalë në një enë të mbushur me ujë por, mos harroni që të shponi portokallet me maje të thikës që të mos shpërthejnë. Koha e zierjes duhet të jetë diku 20-30 minuta.

Servimi

Mund ta servoni menjëherë pasi që të ftohet pak dhe për ata që nuk ju mjafton sheqeri mund ti shtoni pak sirup panje (maple sirup) apo mjaltë. Por nëse keni durim :-), ëmbëlsira të nesërmen dhe të pasnesërmen bëhet më e mirë pasi që zbutet dhe shijet vijnë në shprehje më shumë.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment