Luleradhiqet janë tani në sezonë dhe zakonisht e konsiderojmë si bimë që na e prishë kopshtin por, nëse dijmë si ti pregatisim, janë shumë të mira dhe të shëndetshme. Edhe nëse i hamë do ta zvogëlojmë problemin e tyre :-). Kjo është më shumë si meze e lehtë në vend të patatinave dhe i përdorë vetëm lulet.

Përbërësit

  • Lulet e luleradhiqes – rreth 40 copë
  • Ujë shumë i ftohtë me pak limon dhe kripë për shpërlarje të luleve
  • 1 ve e madhe
  • 1 filxhan i kafes mesatar miell misri (bën edhe polenta)
  • Pak kripë
  • Rigon i thatë
  • Pak trumzë e freskët (apo ndonjë mëlmesë tjetër që e preferoni)
  • 2-3 lugë vaj për përzhitje (vaj ulliri ose ndonjë tjetër që preferoni)

Përgaditja

  • Së pari i mbledhni lulet nga oborri ose diku tjetër në natyrë ku e dini që nuk përdoren pesticide apo herbicide. I këpusni vetëm kokën por me kujdes që të mos shpërbëhet lulja. I shpërlani mirë që të hiqni dheun eventual dhe mbeturina tjera dhe i fusni në ujin e ftohtë (e ftohni me akull) dhe pak limon dhe kripë. I shpërlani mirë në këtë ujë dhe i kulloni në kulluese apo letër kuzhine
  • Në një enë të vogël ovale e tundni venë. Në enën tjetër përzieni miellin e misrit me pak kripë, rigon dhe trumzë të grimcuar
  • E ngrohni fërteren me vaj por jo shumë të nxehtë
  • I ulni lulet një nga një me kokë poshtë në ve dhe pastaj në miell (vetëm kokëposhtë, pjesa e sipërme mbetet ashtu si është) dhe i qitni të përzhiten. Nuk iu duhet më shumë se 30 sekonda për secilën, pra vetëm deri sa të skuqen shumë pak. Nuk keni nevojë ti rrotulloni. Kur të përzhiten i qitni në një enë me letër kuzhine nëse doni ti hiqni vajin
  • I shërbeni menjëherë sa janë të ngrohta
  • Nëse e keni sasinë më të madhe të luleve përdorni më shumë ve apo miell

Servimi

Nëse rastësisht ju bëhen të njelmta mund të shërbeni anash pak kos të trashë përndryshe ashtu si janë janë perfekte.

Ju bëftë mirë!

Lini një koment