Mentaliteti i skamjes – efektet në jetë dhe në punë

Si e percepton (mentaliteti i skamjes) botën – Bota është një tortë me copa të kufizuara dhe të gjithë duhet të nxitojnë të marrin copën (ose më shumë se një) se përndryshe do të na mbesin vetëm troshkat ose në fund do të fshihet fare. Ky mentalitet krijon presion në kokë dhe çdo ditë jemi të ballafaquar me këtë kërkesë: grabit ose mbete, shkel se të shkelin.

Çka prodhon ky mentalitet? Mentaliteti i skamjes i ka dy anë të medales:

1) Të gjithë po grabisin e vetëm unë po mbes, dhe

2) Unë jam më i miri, më i suksesshmi në grabitje

–          Në rastin e parë do të kemi mentalitetin e humbësit dhe pafuqishmërisë prandaj edhe mungesë të përgjegjësisë në veprimet e veta. Ky mentalitet e ka maksimën:Asgjë nuk varet nga unë pasi unë jam i pafuqishëm,  shoqëria dhe shteti janë fajtori” (ego e viktimës).

–          Në rastin e dytë do të kemi mentalitetin e “unë jam gjithë i pari” e që është një person që çdo gjë e kupton si garë. Ky lloj mentaliteti do të jetë në garë me bashkëshortin/en, fëmijët, kolegët shoqërinë dhe të gjithë i trajton si konkurrencë që duhet të eliminohen  (ego e fituesit).

Si koekzistojnë këto dy mentalitete? Këto dy ego nuk mund të funksionojnë pa njëra tjetrën dhe janë si “kapaku e tenxherja”, pra nuk do të zgjatnin shumë po të mos kishin anën tjetër të medales si partner në jetë, në punë apo në shoqëri.

Viktima nuk do të mund të ndjehet si viktimë po qe se nuk e ka kundërpolin e vet, atë që grabitë. Viktima do të ndjehet si i paqëllim dhe i humbur nëse nuk ka kush ia ushqen ndjenjën e viktimës. Në mungesë të kësaj mund të bëhet i dhunshëm e edhe hakmarrës nëse dikush mundohet ti tregon që e ka këtë mentalitet apo nëse dikush mundohet ta nxjerrë nga situata e vet (këto janë natyrisht rastet e skajshme). Mentaliteti i viktimës kurrë nuk do të jetë në gjendje të merr përgjegjësi për veprimet e veta. Për të mbijetuar  do të zhvillojë mënyra perfide, jodirekte, që i shtyjnë të tjerët që të ju vie keq për ta dhe kështu të “ushqehen” me keqardhjen e dikujt dhe konsiderojnë që ky kujdes, nga kushdoqoftë, është diçka që ju takon atyre në mënyrë të pakontestueshme. Ky mentalitet është infektues dhe është në gjendje të përhapë disponimin e viktimës në rrethin e vet e sidomos tek anëtarët e familjes apo grupit në të cilin ka ndikim. Ky mentalitet krijon mllef ndaj atyre që janë të suksesshëm pasi që, sipas perceptimit të viktimës, të sukseshmit janë ata që vetëm zhvatin dhe grabisin. Ky mentalitet nuk mund të perceptojë që ka disa nivele të vlerave tek njerëzit dhe se nuk janë të gjithë shfrytëzues. Prandaj kamja për këtë mentalitet është “e liga” e shoqërisë.

Mentaliteti i fituesit mendon që e gjithë bota duhet t’i “shtrihet para këmbëve” pasi që këta janë të “zgjedhurit”. Por, nëse ky mentalitet është i ballafaquar me neutralitet, pra me rrethin që nuk i bëhet vonë për veprimet e tyre a janë të parët në çdo gjë apo jo, do t’i hutojnë dhe nuk do ta kenë të lehtë ta kuptojnë se pse të tjerët nuk po mahniten me ta. Edhe ky mentalitet mund të jetë i rrezikshëm në rastet e skajshme. Ky mentalitet është në gjendje të eliminon secilin që e konsideron rrezik për reputacionin e vet dhe pozitën e vet. Është shumë i ashpër me të gjithë ata që janë më kompetent dhe është në gjendje të fundosë edhe kompaninë e vet (apo shtetin vet) vetëm e vetëm që lavdia ti mbete atij/asaj. Kemi mjaft shembuj të këtij mentaliteti tek tiranët si Stalini, Enver Hoxha, Hitleri, etj. Sado që ky mentalitet të ketë IQ- në e lartë, të arriturat e tyre do të jenë jetëshkurtëra dhe të tjerët do të jenë të eksploatuar deri në maksimum dhe të zhveshur nga dinjiteti njerëzor. Ky mentalitet len dëme pas vetes për disa gjenerata.

Mentaliteti i skamjes është mentalitet i pangopur dhe sa më shumë fuqi që të merr aq më shumë kërkon. Personat që arrijnë sukses më shumë se ky mentalitet gjithmonë satanizohen dhe mundohen që ti njollosin si persona që e kanë fituar pasurinë me malverzime apo në çfarëdo mënyre tjetër në mënyrë që të ndjehen superior. Edhe nëse është i kamur (pasur) personi me këtë mentalitet, pangopësia dhe dëshira për të nënshtruar të tjerët nuk i bën kurrë të kënaqur. Prandaj, shtypin çdo gjë rreth vetes në emër të barazisë e që në realitet është barazia në varfëri ku vetëm një person (kult) është i privilegjuar mbi të gjithë.

Fushat në të cilat vepron ky mentalitet nuk do të krijon të mira për shoqërinë përkundrazi, ato fusha kurrë nuk do ta arrijnë misionin e vet. Nëse ky mentalitet gjendet në krye të ndonjë organizate që ka për qëllim të ngrisë mirëqenien e masave, kjo nuk do të ndodhë në realitet edhepse raportet e shkruara nga ky mentalitet do të jenë gjithë megalomane dhe glorifikuese për punën e vet, e në realitet masa do të mbetet përsëri e “varfër”.

Sipas hulumtimeve më të fundit, përqindja më e lartë e psikopatëve gjendet në pozitat e drejtorëve ekzekutiv (CEO) dhe ana tjetër e medales është zakonisht personi i dytë në kompani, apo disa persona të dytë në kompani.

Disa nga treguesit që keni të bëni me këtë mentalitet:

 

Kur jeni në prani (në punë, familje apo shoqëri) të këtij mentaliteti Kur ju keni këtë mentalitet
Ndjeheni i/e sulmuar I sulmoni të tjerët që të tregoni kush është “shefi”pa qenë i sulmuar apo i nxitur, thejsht është stili juaj i menaxhimit të të tjerëve
Afër tyre ndjeheni parehatshëm Të tjerët nuk ndjehen rehat me ju
Në fund ndjeheni thuase dikush ju ka “thithë” energjinë Njerëzit janë të rraskapitur dhe me energji të ultë pas bisedës me ju, janë konfuz
E  keni një shije të keqe në përgjithësi E kanë shprehjen e tmerrit në fytyrat e tyre (të skuqur tej mase ndoshta edhe alergji rreth fytit)
Ndjeheni i/e ofenduar intelektualisht Duken të zbehur në fytyrë thuase ju keni dhënë lajmin më të keq

Si ti ikim këtij mentaliteti? Personat që janë të lumtur dhe rrezatojnë pozitivitet janë në mentalitetin e falënderimit për atë që kanë, prandaj nuk kanë nevojë që të jenë në garë me të tjerë e as që dikush të ketë keqardhje për ta. Këta janë personat rreth të cilëve ndjehemi mirë dhe pa presion dhe nuk e kemi ndjenjën e pakëndshme dhe shqetësuese. Nuk ndjehemi të rraskapitur pasi që të rrimë me këta persona përkundrazi, ndjehemi plot energji dhe pozitivitet dhe të motivuar . Që të arrijmë këtë mentalitet, çdo ditë na duhet të shiqojmë rreth vetes dhe të jemi falënderues për atë që kemi dhe të shohim se çka mund të bëjmë ne për çdo ditë që të bëjmë këtë vend (shtetin, mjedisin, Tokën) edhe më të mirë. Kështu do të përfitojmë edhe ne edhe të tjerët, pra të krijojmë mentalitet të bollshmërisë. Suksesi vetëm për vete nuk do të jetë afatgjatë dhe shpesh përfundojmë me biznes të fundosur apo ndoshta edhe në burg pasi që kemi mashtruar të tjerët që të arrijmë pasurinë. Mentaliteti i bollshmërisë mund të arrihet duke e bërë veten gjithmonë e më shumë të përgjegjshëm ndaj mendimeve tona dhe veprimeve tona ndaj të tjerëve dhe mjedisit ku jetojmë.

Ta marrim një shembull, që ende është problematik tek mentaliteti Kosovar e që është kryekëput mentalitet i skamnorit. Mentaliteti i zhvatësit na bën të gjuajmë mbeturina vend e pa vend, pasi që mendojmë që dikush duhet gjithnjë të kujdeset për mbeturinat pas nesh, pra konsiderojmë që jemi të privilegjuar që dikush të pastron pas nesh, kudo që të jemi: në aeroplan, aeroport sidomos jashtë, në park, në shesh, në teatër, në ndonjë shfaqje, prezantim, trajnim, hamë fara dhe i hudhim lëvozhgat para vetes, hamë burek dhe hudhim letrën në tokë,etj. Mentaliteti i skamjes nuk ka kontakt me realitetin dhe nuk e kupton që veprimet tona ndikojnë në rrethin ku jetojmë, mendojmë që jemi të privilegjuar ndaj kësaj të drejte që të hudhim kudo. E ajo që e harrojmë është se ne po ia ndotim vetes dhe fëmijëve tanë mjedisin ku jetojmë. Pse ndodhë kjo? Viktima mendon se është i paforcë që të mendon me kokë të veten dhe të merr përgjegjësi pasi që është i “pafuqishëm” prandaj ata që janë në pushtet duhet të kujdesen për të, deri sa fituesi mendon se është i privilegjuar dhe të tjerët duhet të punojnë për të. Por, shoqëria është shuma e çdo individi dhe përgjegjësive që i marrin, shteti formohet nga po këta individ me këtë mentalitet. Pra, si mendoni? A do të filloni të mendoni se si të bëheni pjesë e zgjidhjes dhe jo e problemit duke marrë përgjegjësi në çdo aspekt të jetës, si në punë ashtu edhe në jetën familjare dhe sociale. Kjo na sjell vetrespekt dhe do të ndjehemi mirë e me plot fuqi që të jemi krijues dhe menaxhues të fatit tonë duke mos harruar që jemi qenie sociale dhe që duhet ti kemi edhe të tjerët parasysh e jo vetëm veten.

Lini një koment