Unë jam biznismen, jo psikolog! Çka mendoni për këtë frazë?

Çfarë thotë W.Edward Demings për psikologjinë

W.Edward Demings babai i Menaxhimit të Kualitetit (që ne e njohim si ISO standarde tani) është njeriu që ka statusin e heroit në Japoni. Ai në vitet pas Luftës së II-të Botërore i ka ndihmuar Japonisë të ngrisë industrinë duke vënë në punë principet e veta, e njëra ndër to është edhe njohuria e psikologjisë. Sistemi i tij, Njohuria e Thellë, që është i domosdoshëm për sukses të kompanisë dhe të liderëve të kompanive, ka katër shtylla:

1. Kuptimi i vlerës së sistemit

2. Njohuria e variacioneve

3. Teoria e dijes

4. Psikologjia

Tri të parat, pak a shumë prej atyre që udhëheqin biznes, do ti kenë mësuar në shkollimin e tyre por shtylla e fundit është plotësisht e injoruar dhe kjo fatkeqësisht bartet edhe në biznes prandaj biznesmenët tanë shpesh janë të “gjymtë” në aspektin e njohjes së psikologjisë së faktorit njeri; edhepse vërehet shpesh edhe moskuptim/verbëri ndaj të parës. Fokusi bëhet vetëm profiti dhe harrohet se për tu arritur profiti duhet të punohet me njerëz, të punësuarit dhe blerësit , që janë qenie komplekse me të gjitha vlerat, paragjykimet dhe kërkesat e tyre psikologjike dhe sociale.

Kjo qasje fatkeqësisht tregon se në Kosovë ende nuk ka mentalitet të të krijuarit të mirëqenies, ka vetëm fokus tek përfitimet afatshkurta dhe ende nuk jemi të pjekur si individë me mentalitet shtetformues pasi që mendojmë ekskluzivisht për veten (uni). Populli që prodhon biznesmenë të tillë që nuk kanë vizion të krijimit të kompanive të forta për të krijuar mirëqenie në shoqëri tregon se ende nuk është i gatshëm për shtetformim. Fatkeqësisht kjo ndodhë edhe në nivelin qeveritar, e të gjithë harrojmë se secili fiton (korrë) atë që e meriton (mbjellë). Por kjo është temë për ndonjë diskutim tjetër.

Sa herë i dëgjojmë biznesmenët tanë që marrin shembull kompanitë perëndimore, vërejmë se fokusi i tyre është vetëm tek profiti. Fatkeqësisht asnjëri prej biznismenëve nuk tenton të mëson për prapavinë e suksesit të tyre por të gjithë supozojnë që ata me disa truqe i kanë mashtruar blerësit dhe kanë arritë suksese të hatashme. Arsyetimi i biznismenëve tanë për mossuksesin e tyre është se Kosova është treg i vogël dhe të gjithë harrojnë tregun shqipfolës e sidomos harrojnë që duhet të krijohet kualitet që i kalon barrierat shtetërore dhe gjuhësore. A mund të vijmë në përfundim se kjo është nga mendjengushtësia, mbyllja në botën private të vogël, jokreativitet? Pra nuk e kuptojnë se p.sh. Apple është bërë kompani e fortë për shkak se produktet e tyre nuk shiten vetëm në tregun e SHBAve por ofrojnë atë që e kërkon çdo njeri pra e njohin psikologjinë e blerësit dhe dinë ta shfrytëzojnë për arritje të profiteve. Nëse e dini historinë e Steve Jobs e dini që ai edhe kur është përjashtuar nga kompania e vet e ka shfrytëzuar rastin të krijon një vlerë të re, kompaninë “Pixar”, që ka prodhuar filma që nuk do të harrohen jo vetëm në tregun Amerikan. Një detaj që të gjithë e harrojnë është se Jobs ka kombinuar artin me teknikën pra nuk i ka mjaftuar vetëm njohuria teknike por edhe estetike dhe shpirtërore, e kjo i ka hapur dyert e kuptimit të kërkesës së klientëve e që shpeshherë i ka parapri.

Ata që kanë studiu ekonominë, sidomos të specializuarit në marketing, patjetër që kanë mësuar për psikologjinë e konsumatorit dhe e dinë rëndësinë e psikologjisë, por askush nuk mëson në menaxhment për teoritë menaxheriale që mësohen në botë, apo vetëm ligjërohen sipërfaqësisht/informativisht. Faktori njeri sikur është inekzistent në kulturën tonë, prandaj si afaristë në Kosovë jemi të gjymtë në këtë aspekt, përpos atyre që e kanë pasion personal apo janë të shkolluar/edukuar në këtë fushë (psikologji apo sociologji) dhe e zbatojnë aty ku punojnë apo ofrojnë trajnime ose ngritje të kapaciteteve. Por, në 90% të rasteve biznesi Kosovar është plotësisht i verbër ndaj kësaj fushe dhe prandaj nuk kemi biznese afatgjata dhe të forta që mund të jenë mbështetje fortë për ekonominë Kosovare.

A jemi gati ne Kosovarët ti hapim sytë dhe të shohim dhe pranojmë atë që gati një shekull e aplikojnë vendet e zhvilluara?

Lini një koment