Si e perceptojmë botën rreth vetes
Si e perceptojmë botën rreth vetes është një proces kompleks, por në mënyrë që ta kuptojmë duhet ta thjeshtësojmë. Dy faktorët shtyllë janë Kujdesi dhe Biologjia. Nuk mund ta kuptojmë natyrën njerëzore nëse nuk e kuptojmë ndërvarshmërinë në mes këtyre dy faktorëve në krijimin e perceptimeve tona se çka është realiteti. Pra, me kuptimin e këtyre dy faktorëve ne kuptojmë se botën e perceptojmë, secili prej nesh, në mënyrë subjektive. Po ta kuptonim të gjithë këtë thelb shumë probleme nuk do të krijoheshin nga njerëzimi e sidomos liderët me menaxherët dhe të punësuarit do të kuptonin më mirë faktorin njeri.
Ti shqyrtojmë në vazhdim këto dy shtylla që krijojnë perceptimin tonë që unë do ti thjeshtësoj me emërtimet “softueri” dhe “hardueri”.
Kultura dhe edukimi – Kujdesi
Le ta quajmë këtë softueri. Që nga fëmijëria e hershme ne fillojmë të programohemi. Së pari nga prindi më i afërt, që nuk do të thotë që është nëna jonë biologjike; pastaj nga të dy prindët (biologjik apo jobiologjik) dhe familja e ngushtë, dalngadalë fillon të na ndikon shoqëria e pastaj institucionet shkollore. Ndikim të fortë në ne kanë librat që i lexojmë (nëse lexojmë), muzika që e dëgjojmë, televizioni me filmat, serialet dhe emisionet që i shiqojmë dhe së voni interneti, sidomos rrjetet sociale, që na bëjnë presion që të mendojmë si të tjerët ose së paku të shprehemi si të tjerët në mënyrë që të fitojmë një “like”.
Natyra/gjenetika – Biologjia
Le ta quajmë këtë hardueri. Mënyra se si do ta perceptojmë ne botën ka të bëjë edhe me aspektin fizik/biologjik. Nëse kemi ndonjë hendikep kjo do të na ndikon shumë nëse nuk arrijmë ta tejkalojmë psiqikisht. Shëndeti i brishtë na ndikon në krijimin e perceptimeve. E më së shumti na ndikon kapaciteti truror – potenciali. Mënyra se si i vëmë në punë hemisferat tona të trurit, e majta dhe e djathta, shumë ndikon në atë se si e perceptojmë botën rreth nesh, çka na bën përshtypje, si i procesojmë të dhënat rreth nesh dhe si marrim vendime. Ta marrim që një IPhone 5 është potenciali ynë, por mënyra se si e përdorim ne këtë IPhone 5 e definon se çka është. Nëse kurrë nuk arrijmë ta përdorim përtej telefonit të thjeshtë, i tërë potenciali i fjetur nuk është vënë në punë dhe ky IPhone do të sillet si çdo telefon tjetër i thjeshtë që ka kapacitet shumë më të vogël dhe me mundësi bazike të telefonit mobil. E njejta është me trurin tonë, nëse ne e kemi kapacitetin të cilin kurrë nuk e shfrytëzojmë, ne do të vëmë në veprim vetëm disa zona të trurit dhe ato më komplekse janë të fjetura prandaj do të na duhet kohë dhe diciplinë që ti vejmë në veprim, përpos nëse një ngjarje tepër tragjike apo shumë e fortë nuk na shtynë me zor që ta vejmë në veprim edhe pjesën tjetër të kapacitetit truror.
Si ndërveprojnë softueri dhe hardueri
Hardueri e paracakton se çfarë softesh mund të kenë sukses e çfarë jo. Nëse ne kemi predispozita që të vëmë më shumë në punë logjikën faktike atëherë ky lloj programi do të jetë më i pranueshëm dhe ne perfeksionohemi në këtë drejtim. Por duke bërë këtë, mbetemi prapa në botën e inteligjencave tjera si ato emocionale. Në anën tjetër personat me predispozita të kundërta nuk mund të marrin vendime pragmatike të bazuara në fakte.
Çka është më e mira
Mesi është gjithmonë rregulla e artë. Personat që kombinojnë të dy hemisferat janë navigatorë më të mirë në jetë dhe më të suksesshëm në afat të gjatë. Përpos që janë të mirë si liderë dhe menaxherë kanë edhe jetë më të plotë dhe natyrisht janë prindër të mirë dhe poashtu kontribues të mëdhenjë në shoqëri.
Si ta arrijmë mesin
Zgjidhja më e mirë është që të bëhet testi dhe në bazë të rezultateve të fillohet me program të stërvitjes. Është proces i cili nuk mund të ndryshohet me një trajnim dhe me marrje të një çertifikate. Duhet punë e sinqertë me veten dhe gatishmëri për ndryshim pozitiv.
Pse është proces i gjatë
Ta marrim si shembull implementimin e një softueri të ri, kompleks, pas një kohe të gjatë të përdorimit të një softueri tanimë të vjetër. Çfarë kërkohet së pari është 1. gatishmëria, pastaj të shifen 2. mundësitë e harduerit, pastaj 3. të përshtatet softueri për specifikat e klientit (vetes), 4. implementimi, 5. Bartja e shënimeve të vjetra në të renë dhe zgjidhja e problemeve aktuale 6. përkrahja dhe pavarësimi (nëse vazhdimisht nuk ndryshojmë gjëra të reja që ta mbajmë hapin).
E njejta ndodhë me ne. Së pari duhet të kemi gatishmërinë që të ndryshojmë “programimin” tonë i cili është i “vjetëruar”. Pas kësaj duhet të bëjmë testin – matjen se çfarë softueri duhet të aplikojmë. Harduerin nuk mund ta ndërrojmë por mund ta masim kapacitetin. Këtu është përparësia e njeriut ndaj teknologjisë, kapaciteti i trurit të njeriut është, sipas Dr. Clare W. Graves, i pafund pasi që është skajshmërisht adaptiv. Por, kemi edhe raste kur për shkak të arsyeve biologjike apo kushteve jetësore, ky kapacitet është i burgosur apo definitivisht i mbyllur. Me testim shifen këto tendenca. Por, tek rastet e hapura, vazhdohet me implementim, zëvendësim të veseve të vjetra me të reja. Por, kjo është vetëm pikënisja pasi që veset e reja duhet të ushtrohen së paku 3 muaj e që pastaj të vazhdohet me vet-diciplinë që të krijohen lidhje të reja neurologjike që veset e reja të jenë të rrjedhshme dhe të natyrshme.
Njejtë si me implementim të softuerit edhe ndryshimet (riprogramimet) tek njeriu duhet të kalojnë patjetër 6 faza në mënyrë që të kenë sukses por predispozitat kryesore janë gatishmëria (disonanca) dhe kapaciteti (hardueri adaptiv ndaj softuerëve të ri).