A jeni pre e rrethanave apo jeni zot i vetes?

Në shkollimin tradicional mësojmë se si ta vejmë në veprim anën logjike apo lineare dhe kur dalim nga institucionet shkollore mendojmë që i dimë të gjitha. Pasi ballafaqohemi me botën reale kuptojmë që shkollimi tradicional nuk na ofron kurrfarë dije në lidhje me menaxhimin e natyrës së njeriut. Mësojmë për statistika, numra, llogaritje, fenomene fizike, se si ti menaxhojmë materialet, se si të krijojmë programe, por askush nuk na mëson se si ti kuptojmë të tjerët e sidomos veten. Të gjithë ballafaqohemi me vështirësitë e natyrës njerëzore dhe kur duam të gjejmë përgjigje dhe kërkojmë këshilla prej tjerëve marrim përgjigje të tipit: njerëzit janë të paparashikueshëm dhe kurrë nuk i dihet fatit. E kjo na bën të pafuqishëm dhe na shtyen ti dorëzohemi dallgëve të fatit, ne nuk e drejtojmë timonin e jetës sonë por rrethanat.

Çka është rrethanë

Ka disa nivele të rrrethanave. Ato të cilat nuk mund ti ndryshojmë të cilat janë vetëm fakte, ato në të cilat mund të ndikojmë indirekt dhe ato për të cilat kemi përgjegjësi të drejtpërdrejtë.

Rrethanat të cilat duhet të konsiderohen vetëm fakte

Shpesh kur flasim për rrethana, në mendje kemi diçka shumë më largë se rrethi i parë, i dytë dhe i tretë i yni. Rrethanë për ne është p.sh. përkatësia gjenetike (kombi), pozita gjeografike e vendit tonë, vendet fqinje, përkatësia qytetare (fshat – qytet), klima, gjendja ekonomike e prindve, etj. Nëse ndalemi e mendojmë, të gjitha këto rrethana janë vetëm fakte, dhe ne duhet ti pranojmë si të tilla. Nuk është diçka që mund ta ndryshojmë dhe kjo na bën të pafuqishëm dhe pa dëshirë që të ndërmarrim diçka sepse ne jemi viktimë e rrethanave dhe prandaj duhet të dorëzohemi. Që të mund ti ndryshojmë këto rrethana ne duhet të jemi qenie mbinjerëzore. Sa mentalitet i pashpresë! A mund të presim diçka kreative prej këtij mentaliteti? Jo aspak, ky mentalitet vetëm mundohet të gjen dikend që ia dëgjon ankesat e veta, dhe po ti ofroni që të bën diçka në lidhje me situatën e tyre, ju do të jeni personi më i urryer.

Rrethanat në të cilat mund të ndikojmë indirekt

Një përqindje e madhe shajnë, ankohen për të gjitha nivelet e qeverisjes. Ankohen që nuk ka vende pune, që njerëzit janë të papunë, që krejt janë hajna. Por kur ju thua që duhet të dalin të votojnë, që nëse duan të ndryshojnë diçka duhet të angazhohen në ndonjë parti politike apo organizatë qytetare; që nëse duan punë duhet të gjenerojnë vet punë; që nëse dojnë një Kosovë më të pastër së pari duhet ta mësojnë veten dhe fëmijët e vet të mos hudhin mbeturina vend e pa vend. Por ky lloj i mentalitetit është pre e rrethanave dhe pret që qeveria, komuna, bizneset, gjithkush tjetër të menaxhon jetën e tyre, pra edhe mbeturinat t’ia marrin para derës, e vet mos të merr asnjë lloj përgjegjësie. Ky lloj i mentalitetit nuk është kreativ por vetëm ankues, dhe çdokush i ka faj.

Rrethanat të cilat janë përgjegjësi e jona e drejtpërdrejtë

Drejtimi i shkollimit/profesioni, mënyra se si jetojmë, punësimi, martesa, jomartesa, gjendja financiare, shëndeti, edukimi i fëmijëve tanë, etj, janë përgjegjësia jonë e drejtpërdrejtë. Kur nuk duam të marrim përgjegjësi, të gjithë tjerët kanë faj duke filluar nga prindërit, pastaj mësuesi, arsimtarët, shefi, gruaja, burri, fëmitë, etj. Duam që rrethanat të na e drejtojnë jetën pasi që nuk kemi guxim që të ballafaqohemi me askënd dhe ti themi jo prindëve dhe kujtdo tjetër që na pengon të realizojmë ëndrrën tonë.

Kush janë njerëzit që janë zot të vetes

Kemi aq shumë shembuj rreth vetes. Sidomos kemi shembuj që i  njeh e gjithë bota si p.sh. Steve Jobs. Po ti lexoni rrethanat e tij e shifni që nuk kanë qenë aq të favorshme. Gjenet gjysëm Siriane, i braktisur nga prindët, i adoptuar nga një çift jo shumë inteligjent. Ka qenë i përjashtuar nga kompania që vet e ka krijuar. Po çka ka qenë forca e tij – nuk ka pasë frikë të provon asgjë; nuk ka pasë frikë të shkojë pas ëndrrës së vet, e cila ndonjëherë edhe nuk ju ka realizuar ashtu si duhet, bile është përjashtuar nga kompania e vet. E cila ka qenë përgjigja e tij sa ka qenë i përjashtuar nga Apple, ka themeluar edhe një kompani tjetër të suksesshme, Pixar, që më vonë ia ka shitë Disneyt. Pra, besimi në vete, marrja e përgjegjësisë, mësimi nga dështimet dhe mosfrika nga gabimet apo dështimet na bën zot të vetes. Përndryshe, do të mbesim përjetë pa arritur ëndrrën tonë, do të jemi të hidhur për vete dhe për të gjithë. Çdo gjë rreth nesh do të na pengon dhe çdo sukses i dikujt tjetër na kujton mosuksesin tonë dhe ne shfryhemi duke sharë dhe duke përmendur “njëmijë të metat” e atij personi të suksesshëm në mënyrë që të ndjehemi më të fortë.

Si të tejkalohet ky programim

Hapi i parë, të largohemi nga rrethi ankues. Nuk është shoqe e mirë, as shok i mirë, as kanal televiziv i mirë, as gazetë apo revistë e mirë ajo e cila vetëm na e konfirmon ndjenjën e pafuqisë. Prandaj duhet të largohemi nga ky ndikim.

Hapi i dytë, ti ndalojmë ankesat. Pas një kohe do të vëreni që i gjithë rrethi juaj vetëm ankohet e kjo ju ndikon në disponim negativ. Një konsulent amerikan thotë, nëse për çdo ditë pini supë të qepës, si do të ju vie era – qepë natyrisht! Pra nëse vetëm ankoheni dhe rrethi i juaj është i tillë, ju krijoni mentalitetin e viktimës së pafuqishme, të cjapit që e pret kasapin.

Hapi i tretë, na duhet dikush që na shtynë nga përditshmmëria e hidhur, dikush që nuk na qanë hallin, por dikush që na kundërshton dhe na tregon se megjithatë jeta nuk është aq e zezë, se gjërat nuk janë vetëm bardh e zi por ka shumë ngjyra në mes; se jeta ka plot mundësi dhe se ne jemi ata të cilët e kemi në dorë jetën tonë; ne jemi ata të cilët mund ta ndryshojmë rrethanën e tretë duke u bërë kreativ e jo duket tentuar të mimikrojmë të tjerët. Duhet të mësojmë nga shembujt pozitiv, por duhet të dijmë që nuk mund ti kopjojmë pikë për pikë. Duhet të mësojmë nga mënyra dhe vullneti dhe se si kanë arritë sukses duke i pranur rrethanat si fakte por jo si udhëheqëse dhe si fund i botës.

Hapi i katërt, marrja e përgjegjësisë për gjithçka të mirë apo të keqe që ne e bëjmë dhe mos t’ia hedhim fajin asnjë rrethane. Kjo është më e vështira por, pa marrje të përgjegjësisë ne nuk do ta kemi timonin e jetës sonë në duart tona.

Lini një koment